Katër policë të pikës kufitare të Qafë-Thanës u vunë në pranga pasi akuzohen si bashkëpunëtorë të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Ata janë Ervin Kodra, Çlirim Pepa, Lirim Halili dhe Syrja Terziu.
Arrestimi i tyre u bë me urdhër të Prokurime për Krime të Rënda në vijim të hetimeve për kamionin me 8 ton drogë që u kap në shkurt të këtij viti në Ankona të Italisë. Ngarkesa që kaloi transit nga Shqipëria kishte si destinacion përfundimtar Belgjikën. Kamioni i nisur nga Maqedonia hyri në territorin shqiptar nw 4 shkurt përmes pikës doganore të Qafë Thanës dhe doli në datën 5 shkurt nga porti i Durrësit.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në doganën e Qafë-Thanës u konstatua se policët, të cilët komunikonin shpesh me shoferin maqedonas kanë kryer një kontroll sipërfaqësor të kamionit, madje punonjësi në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar nuk e regjistroi në sistemin Tims.
Ndërsa në Portin e Durrësit mjeti iu nënshtrua procedurave pa u kontrolluar në skaner duke u lejuar të imbarkohet në tragetin e linjës Durrës-Ankona. Kjo pasi sipas rregullave të tranzitit kamioni ka qenë i plumbosur dhe i vulosur në gjendje të rregullt nga Autoritetet Doganore të Qafë Thanës.
Pas zbritjes në Ankona autoritetet italiane bënë arrestimin e shoferit maqedonas maqedonas, dhe sekuestruar kamionin me 8 ton kanabis. Për këtë rast policia shqiptare kishte sqaruar zyrtarisht se organizata drejtohej nga maqedonas dhe se pala shqiptare nuk ishte e përfshirë as në njerëz dhe as në mjete në trafikimin e 8 tonëve kanabis që kaluan tranzit nga Shqipëria.
Tv Klan