Ish-Kryeministri Berisha ka pritur në zyrën e tij ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu. Situata politike në vend ishte në qendër të takimit që zgjati afro 60 minuta.
Për ish-kryeministrin Berisha vendi po kalon situatën më kritike që prej vendosjes së pluralizmit, arsye këto që sipas tij e kanë detyruar opozitën prej 32 ditësh të protestojë.
Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit pranë ish-Kryeministrit thuhet se zoti Berisha ka kërkuar nga Ambasadori Lu që Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar të mbajnë një qëndrim të prerë rreth situatës së kanabizimit të vendit nga kreu I qeverisë. Sipas Berishës me këto para po tentohet blerja e zgjedhjeve.
Berisha ka shprehur shqetësim edhe për lirimin me ndërhyrjen direkte të kryeministrit Rama të grupeve dhe eksponentëve më të rrezikshëm kriminalë si Hakmarrja për drejtësi, Lul Berisha, me qëllim grabitjen e zgjedhjeve. Berisha ka shprehur shqetësim edhe për mosarrestimin e Klement Balilit si dhe përfshirjen e administratës në zgjedhje.
Ish-kryeministri Berisha e ka vënë sërish theksin në takimin e zhvilluar me ambasadorin Lu tek fondet e taksapaguesve amerikanë që fondacioni Soros ka vënë jo vetëm në mbështetje të ish komunistëve shqiptarë por direkt kundër PD-së. Ai u shpreh se Soros është një milioner dhe se në Ballkan i blen lirë politikanët, por theksoi se do vlerësonte që qeveria amerikane të ndalojë një veprimtari të tillë të tij.
Zoti Berisha theksoi se, kriza që u shfaq në Maqedoni një vit para zgjedhjeve ndërmjet forcave politike maqedonase, si mosbesim për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm nuk ka asnjë krahasim me situatën tejet dramatike në Shqipëri për procesin elektoral.
Ish kryeministri Berisha taksoi se për këto arsye opozita është jashtë parlamenti dhe po proteston për votën e lirë dhe jo për pushtet.
Ndërsa ish-kryeministri Berisha i ka shprehur shqetësimet e tij diplomatit amerikan në Tiranë, Lulzim Basha ka nisur një vizitë në Shtetet e Bashkuara ku shqetësimet e tij do t?i ndajë me senator amerikanë.
Tv Klan