Ish- komandoja Alban Voda, i arrestuar nga policia e Përmetit si autor i vrasjes dhe masakrimit të fqinjit të tij 66- vjeçar Nesim Hoxha, në fshatin Sukë të Këlcyrës nuk ka bindur hetuesit me versionet që ka dhënë për krimin e kryer një ditë më parë, duke përforcuar pistën se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Fillimisht ai u tha oficerëve të policisë se 66-vjeçari kishte tentuar ta vriste me një kokërr ulliri, ndërsa më pas pohoi se fqinji i kishte përdhunuar hallën.
Këto deklarime të tij nuk u morën në konsideratë nga policia, e cila i ka kërkuar Institutit të Mjekësisë Ligjore ekzaminim psikik të ish- efektivit komando.
Voda, nuk ka qenë më parë i evidentuar si person me probleme psikike dhe po ashtu nuk ka pasur një kartelë klinike që vërtetonte këtë fakt.
Pritet që policia dhe prokuroria të kërkojnë edhe një raport të detajuar mbi gjendjen e tij në kohën e shërbimit ushtarak. Voda kishte shërbyer në dy misione paqeruajtëse në Afganistan, përpara se në vitin 2015, të largohej nga radhët e forcave komando. / TV KLAN