Nafta që po “vret” banorët e Zharrzës

RTV KLAN 2017-06-04

Views 0

Banorët e Zharrzës e kaluan natën jashtë, përpara Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.

Pas katër ditësh marshim në këmbë nga Fieri në Tiranë ata vijojnë protestën kundër kompanisë Bankers Petroleum.

I kërkojnë Ministrisë së Energjisë të mbajë premtimin, për ndaljen e shpërthimeve nëntokësore të Bankers Petroleum, që u kanë shkatërruar shtëpitë që i kanë ndërtuar gjithë mund dhe u ka bërë jetën të vështirë.

Të shtunën u takuan me Zv.Kryeministrin Niko Peleshi dhe morën disa premtime. Por banorët thonë se nuk do të largohen pa arritur qëllimin e tyre: të largojnë Bankers Petroleum nga fshati i tyre.

Banorët thonë se kompania Bankers Petroleum kryen shpërthime të vazhdueshme nëntokësore, për të nxjerrë naftë, duke injoruar dëmet që u bën atyre. Qeveria shqiptare duket e pafuqishme për ta ndaluar këtë masakër.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri po hesht ndaj Bankers Petroleum edhe pse banorët e Zharrëzit kanë mbërritur para dikasterit që drejton.

Kompania thotë se i ka ndaluar kërkimet, por nuk pranon të kontrollohet nga qeveria dhe kërkon një ekspert ndërkombëtar, për të cilin thotë se duhet të marrë edhe miratimin e saj.

Mungesa e transparencës i shton dyshimet dhe përforcon akuzat e banorëve se Bankers Petroleum i kryen punimet në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe kontratën që ka me qeverinë, duke shkatërruar një zonë të tërë, pa marrë në konsideratë dëmet që i shkaktohen popullsisë së saj.

TV Klan

Share This Video


Download

  
Report form