Ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve Artur Zoto është arrestuar pasditen e kësaj të marte. Ai është vënë në pranga për akuzën e korrupsionit pasi Prokuroria për Krimet e Rënda dyshon se ka abuzuar me tenderat për ushqimet në burgje. Në korrik të 2016-ës u arrestua për të njëjtën çështje edhe Iljaz Labi, zëvendës i Zotos. Burime nga prokuroria i thanë Tv Klan se gjatë marrjes në pyetje zv.drejtori tha se për kryerjen e tenderit e kishte urdhëruar shefi i tij.
?Më thirri Drejtori i Përgjithshëm në zyrë një ditë dhe më tha se po hapej një procedurë tenderimi për ushqimet. Më tha që kemi këtë procedurën që do e bëjmë me negocim. Kam biseduar me operatorët dhe do të merresh ti më këtë punë.
Drejtori, Artur Zoto më tha që të takoja shtetasin Ylber Kalaja, me të cilin unë kisha pak njohje, për të biseduar në lidhje me këtë çështje, duke më thënë se e dinte Ylberi sesi do të vepronte. Kam kontaktuar me shtetasin Ylber Kalaja dhe kam biseduar me të në lidhje me proçedurën që do të kryhej?.
Aktualisht për Labin ka filluar gjyqi për akuzën e korrupsion. Për këtë çështje u arrestuan edhe 4 biznesmenë të cilët bashkëpunonin me njeri-tjetrin për të paracaktuar fituesin në tender. Sipas hetimeve ata kishin paguar rreth 20 milion lekë të vjetra tek numri 2 i burgjeve. Por nga hetimi prokurorët faktuan edhe përfshirjen e drejtorit Zoto i cili u prangos nga policia e shtetit me urdhër të prokurorisë dhe pasi gjykata vendosi masën e arrestit me burg.
Tv KLAN