DURRËS- Gjatë ditës së sotme disa tregtarë në qytetin e Durrësit janë ngritur në protestë, pasi ata ndihen të kërcënuar nga shitësit ambulantë.
Sipas tyre ata janë detyruar të vendosen në një treg që i është caktuar nga bashkia, por kjo e fundit nuk merr asnjë masë për të larguar tregtarët ambulant që nuk kanë asnjë licencë dhe po i alimentojnë.
Janë gjithsej 250 tregtarë të licencuar të cilët shesin produkte agroblegtorale në tregun përkatës. Ata paguajnë 3400 lekë për çdo muaj që të ushtrojnë aktivitetin e tyre si dhe 6 mijë lekë në vit për energjinë elektrike që konsumohet në treg.
Protestuesit gjithashtu akuzuan edhe inspektorët e AKU dhe të bashkisë se mbyllin sytë përpara kësaj situate pasi fusin në xhepat e tyre 5 mijë lekësha që ju serviren nga tregtarët e pandershëm.
Në këto kushte ata kërkuan boshatisjen e trotuareve nga tregtarët e pandershëm, në të kundërt nuk do të paguajnë më taksat që i ka caktuar shteti.