Janë nxjerrë nga miniera e Bulqizës pas pesë ditësh, trupat e pajetë të tre minatorëve kinezë, të cilët humbën jetën të shtunën e kaluar pas shpërthimit të gazit hidrogjen në minierë.
Punimet për nxjerrjen e tre minatorëve të pajetë nga thellësia e minierës së Bulqizës, nisën një ditë më parë, por u vështirësuan si rrjedhojë e shpërthimeve të gazit hidrogjen në thellësi.
Trupat e pajetë të minatorëve janë dërguar në morgun e Tiranës ku do t'u bëhet ekspertiza mjeko ligjore, ndërsa do të jetë ambasada Kineze ajo që do të vijojë më tej me procedurat e dërgimit të të ndjerëve në atdheun e tyre.
Tre minatorët kinezë u gjetën pasditen e djeshme në nivelin e 21 të minierës.
Megjithë vështirësitë e krijuara, puna për nxjerrjen e minatorëve, rinisi në orën 07:00 të mëngjesit të kësaj të premte.
Tre minatorët kinezë humbën jetën një javë më parë në minierën e Bulqizës pasi shpërtimit të gazit hidrogjen. Nga ky incident mbetën të plagosur dhe tre minatorë të tjerë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë punimeve që po zhvilloheshin në kuadër të investimit për hapjen e pusit të thellësisë që do të shtojë jetëgjatësinë e kësaj zone mineralmbajtëse.