Bien me 40% çmimet e siguracioneve. Të teta kompanitë e sigurimit kanë ulur nga 19 mijë lekë në 11 mijë çmimin e TPL-ve për automjetet.
Të kontaktuar nga Televizioni Klan, drejtues të shoqërive të sigurimit shprehen se ndryshimi është momental dhe është bazuar në kërkesë ? ofertën e tregut.
Ata sqarojnë se ndryshimet e ndodhura në çmimin e siguracioneve janë reflektuar si pasojë e konkurrencës së ashpër në treg, ku fillimisht disa kompani kanë ulur çmimin e më pas kanë qenë dhe firmat e tjera që ndoqën të njëjtin trend.
Në bazë të rregullores së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, kompanitë duhet të njoftojnë në autoritet tarifat e reja dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë AMF le në fuqi çmimet e mëparshme. Dy muaj më parë autoriteti i mbikëqyrjes financiare gjobiti shoqëritë për këtë shkak.
I kontaktuar nga TV klan, ky autoritet nuk ka dhënë informacion nëse ndryshimi i çmimit është deklaruar apo jo pranë tij. Minimumi i primit të riskut që AMF ka vendosur për siguracionin e makinave është 14 mijë lekë./ TV KLAN