KAVAJË- Kryetari i Bashkisë Kavajë ka prezantuar pasditen e djeshme ministrin Ahmetaj si deputetin më të ri të këtij qyteti.
Pavarësisht se lista me kandidatët dalin në maj, në takimin me strukturat e partisë së Kavajës, Rroshi e bëri fakt të kryer kandidimin e ministrit të financave në këtë zonë.
Por vetë Ahmetaj është treguar disi më i rezervuar duke pohuar se është i deleguari i partisë në Rrogozhinë e Kavajë për përgatitjen e zgjedhjeve, gjë që zakonisht përkthehet në deputet të zonës.
"Sonte të gjithë strukturat e Partisë Socialiste të Kavajës jemi mbledhur për të bërë një prezantim të deputetit tonë të ardhshëm ministrit Ahmetaj", u shpreh Rroshi.
"Unë jam kordinator i PS, i dërguar nga kryesia për Kavajën dhe Rrogozhinën. Kavaja për mua në mandatet e kryetarit të Bashkisë së zotit Rroshi ishte një surprizë qoftë për PS qoftë për Shqipërinë" deklaroi Ahmetaj.
Rrethi i Kavajës bën pjesë në Qarkun e Tiranës . Në 2013-n Ahmetaj doli deputet në Gjirokastër prej nga ku ka dhe origjinën.