Ka zgjatur rreth 2 orë mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Presidencë ku është debatuar gjatë mbi Kelmend Balilin, i konsideruar nga drejtësia greke si, ?Eskobari i Ballkanit?.
Mbledhja pa praninë e kryeministrit nisi në orën 12:15 minuta në drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, u zhvillua me dyer të mbyllura pa praninë e medias.
Interesante ishte mënyra sesi u ulën anëtarët e Këshillit të Sigurisë dhe mimikat e fytyrës se gjithsecilit. Më serioz nga të gjithë ishte kryeprokurori Adriatik Llalla, ndersa vihen re te buzëqeshur ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe iniciatori i mbledhjes, kryeparlamentari Ilir Meta.
Takimi u zhvillua me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i cili kërkoi një analizë mes institucioneve për veprimet dhe mos veprimet që kanë sjellë mos arrestimin e të shumëkërkuarit Kelmend Balili.
Anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë: Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes, Ministri Punëve të Jashtme, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Brendshëm Ministri i Financave, Ministri i Transportit, Ministri i Energjisë, Kryetari i komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Por kryeministri Rama dhe ministri i Transportit Dervishi nuk ishin të pranishëm, pasi ndodhen jashtë vendit në vizita zyrtare.
Rama ndodhet në një vizitë në Kosovë dhe njoftoi se nuk merr pjesë, ndërsa kërkoi dje që në vendin e tij të ishte Niko Peleshi, por Presidenca refuzoi të pranojë autorizimin e zv/kryeministrit Peleshi për të marrë pjesë në mbledhje.
Presidenca në letrën e dërguar Kryeministrisë arsyetonte se Rama duhet të ishte i pranishëm vetë në mbledhje nisur nga specifika e diskutimit.