"Në Tiranë nuk do të ketë më pagesa të parkingut me biletë, por çdokush përmes një SMS-je me telefon mund të paguajë parkimin e automjetit të tij'.
Kështu u shpreh këtë të hënë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se nga java e ardhshme do të nisë një projekt pilot për pagesën e parkingut përmes celularit.
"Nga java tjetër do pilotojmë sistemin e pagesës së parkingut jo më me biletë, por përmes celularit. Verifikimi nga policia bashkiake do ndodhë vetëm me pajisje elektronike. Çdo gjë do të lerë gjurmë në sistem dhe do të jetë një nga lehtësitë e qytetarëve për të parkuar. Fillojmë pilotimin nga java tjetër. Mjafton një SMS apo një aplikacion për të paguar parkimin në Tiranë, pa e ndryshuar fare tarifën. S'do ketë më blerje të biletave me para cash. Ky projekt ka filluar që kur Edi Rama ishte kryetar bashkie. Të jetë edhe Tirana njësoj si Zagrebi, njësoj si Shkupi", u shpreh Veliaj.
Deklaratat e tij Veliaj i bëri gjatë analizës vjetore të Policisë Bashkiake.