Kërkesa e Partisë Demokratike për përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet vendore të 2017 nuk mund të plotësohet.
Është kryetari i KQZ, Denar Biba, i cili në një dalje për mediat u shpreh se futja e teknologjisë në zgjedhje nuk mund të bëhet për 6 muaj.
Ai shtoi se finalizimi i një projekti të tillë kërkon të paktën 2 vite kohë.
"Ne jemi të bindur që një ndërmarje e tillë është e pazakontë. Të kalosh nga një sistem shumë vjeçar, i bazuar në letër dhe numërime manuale, në një sistem elektronik është e pazakontë. Jo të gjitha vendet e botës e kanë. Ne gjykojmë se për të qenë seriozë në këtë ndërmarrje, para së gjithash duhet ta studiojmë këtë lloj praktike, duke iu referuar praktikave më të mira botërore dhe në ndihmë të kësaj do të jenë edhe kolegët tanë të Shoqatës Botërore të Trupave Zgjedhore. Nuk njoh ndonjë vend që ta ketë bërë në 5 muaj implementimin teknologjisë së zgjedhjeve në vendin e vet", u shpreh Biba.
Votimi elektronik ka qenë çështja e cila ka sjellë edhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.