Situata në verilindje të vendit paraqitet tejet problematike. Stuhitë e dëborës kanë vijuar gjatë 24 orëve të fundit duke krijuar masive me borë në pikat kyçe të akseve rrugore. Në Rrugën e Kombit kalimi bëhet më vështirësi dhe me zinxhirë.
Edhe pse po punohet me kapacitet të plotë të mjeteve, stuhitë e dëborës krijojnë bllokime të herëpahershme. Të gjitha fshatrat e njësive administrative për momentin janë të bllokuara.
Një divizion i ushtrisë, së bashku me disa mjete është vënë në dispozicion të bashkisë së Kukësit. Ka qenë vetë kryebashkiaku Bashkim Shehu që i ka kërkuar kryeministrit Rama gjatë një bisede telefonike, ndihmë për të përballuar situatën.
Në dispozicion të Bashkisë së Kukësit është vënë edhe një fadromë dhe një gjenerator që do bëjë furnizimin me energji të njësisë vendore. Fadroma dhe mjetet e rënda të ushtrisë kanë nisur nga puna në zonat e thella të qytetit verior për të hapur rrugët e bllokuara nga reshjet intensive të borës.