Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë që prej ditës së djeshme Njësinë Administrative të Oroshit në Mirditë. Zjarri ka rënë në lagjen Kullagji të Repsit dhe në pak kohë është përhapur në zonë duke sjellë për pasojë djegien e sipërfaqeve të mëdha pyjore.
Deri tani janë djegur rreth 7 hektarë me pyje, ndërsa zjarrfikësit e kanë patur të pamundur për të ndërhyrë për shkak të terrenit të thyer. Për shkak të situatës së krijuar në zonë kanë qenë të pranishëm edhe prefekti i Lezhës Eduart Ndreca dhe sekretari i përgjithshëm i prefekturës Altin Jaku të cilët po koordinojnë veprimet për të minimizuar dëmet nga vijimi i kësaj vatre zjarri.
Qe prej natës së mbrëmshme në zonë janë dislokuar disa forca ushtrie ndera të tjera u janë bashkuar atyre gjatë mëngjesit të ditës së sotme. Emergjencat civile në prefekturën e Lezhës kërkuan edhe mbështetje nga ajri, duke sjelle aktivizimin e një helikopteri për shuarjen e zjarrit. Për shkak të erës së fortë i cili ka favorizuar edhe flaket e zjarrit, janë vënë në rrezik banesat e lagjeve Letaj dhe Sukagji.
Situata ka vijuar të jetë problematike edhe gjatë paradites së sotme, ndërsa ushtria dhe helikopteri kanë vijuar intensivisht punën për të lokalizuar vatrën e zjarrit dhe shuarjen e tij.