Për tre vitet e ardhshme qeveria planifikon të shpenzojë nga buxheti I shtetit 6.3 miliardë lekë, afërisht 60 milionë dollarë për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve.
Në vitin 2017 fondi në dispozicion të ish të përndjekurve do jetë 2 miliardë lekë, në 2018 2.1 miliardë lekë, për t?u rritur në 2.2 miliardë lekë në vitin 2019. Shumat në dispozicion të kësaj kategorie janë bërë publike në programin buxhetor afatmesëm të sapo miratuar nga qeveria.
Në vitin 2016 po procedohet me shlyerjen e kësteve të pestë dhe të gjashtë të kategorive të ish të të përndjekurve. Edhe në vitin 2017, fondi në dispozicion të tyre parashikohet të shpërndahet sipas sistemit të këtij viti, ku në fillim përfituan kategoritë e grave ish të përndjekura ende në jetë.
Në vijim, në kategorinë e dytë me prioritet, u vlerësuan "personat ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë".
Në kategorinë e tretë me prioritet, u përfshinë "personat ish-të dënuar politik të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda". Vetëm në fund të vitit, nisi shpërndarja e fondit për trashëgimtarët e ish të përndjekurve të cilët nuk janë më gjallë.