Në 2017 të gjitha pallatet në kryeqytet do të kenë një administrator. 70 koordinatorët e zgjedhur nga Bashkia e Tiranës kanë nisur punën në terren, duke njohur kryeqytetasit me funksionet që do të ketë administratori i përzgjedhur prej tyre.
Pas trajnimit nga bashkia, administratori , do të ketë fuqinë edhe të gjobis ata banorë që nuk zbatojnë rregullat në komunitet.
E thëne më thjeshtë gjoba do të aplikohen në rastet e ndotjes së ambienteve, dëmtimit të pronës së përbashkët, apo dhe zënia e vend parkimeve në mënyrë të paligjshme.
Pagesa mujore e çdo familje do të caktohet nga vetë komuniteti në bazë të përllogaritjes së shpenzimeve. Paraprakisht mendohet që kjo pagesë të variojë nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë në muaj.
Ata që nuk do të paguajnë në kohë, iu shtohet 10% e shumës si kamatë, ndërsa ata që kundërshtojnë pagesën për 3 muaj me radhë çështja shkon në gjykatë dhe më tej është përmbarimi që do të ekzekutojë marrjen e detyrimit.
Administratori i pallatit do të informoj çdo muaj kryesinë e asamblesë, që janë 5 banorë të zgjedhur nga komuniteti mbi shpenzimet mujore.
Për herë të parë bashkia në 2017 do të ketë edhe një fond për komunitetin, i cili do të përdoret për të financuar në masën 50% çdo investim madhor që duan të bëjnë banorët e një komuniteti.
Në Tiranë janë rreth 5 mijë pallate, aktualisht një pjesë e kanë një administrator, por që ende nuk janë certifikuar nga Bashkia./ TV KLAN