Pallati i Kongreseve do të mirëpresë në mbrëmje, natën e parë të ?Kënga Magjike?. Në një transmetim të drejtpërdrejt në ekranin e Televizionit Klan, në orën 20 e 30, në skenë do të ngjiten 23 konkurrentët e parë. Ndër emrat e kategorisë ?Big? që do të garojnë sonte janë Mariza Ikonomi, Eranda Libohova, Era Rusi Soni Malaj e Rozana Radi.
Gara për 8 konkurrentët e parë në kategorinë ?New Artist?, ?Artistët e rinj?, do të zhvillohet ndryshe. Pesëshja e jurisë, e cila i votoi përgjatë të ?Dielës Shqiptare? për të qenë pjesëmarrës në ?Kënga Magjike?, vazhdon misionin e saj edhe në Pallatin e Kongreseve. Juliana Pasha, Olti Curri, Dj.Sardi, Venera Lumani dhe Ulis Krajka do t'u japin ose jo të drejtën secilit prej këngëtarëve të votojnë dhe të votohen për të shkuar në finalen e madhe të së shtunës.
Për edicionin e tij të 18, Ardit Gjebrea zgjodhi të ndajë prezantimin me Elia Zaharia Zogu.
?Kënga Magjike? e kuruar nga skenografi i Sanremos, Gaetano Castelli, drejtori i fotografisë në Rai, Guiseppe Quini dhe nën regjinë e Aldon Lipes, nis në mbrëmje maratonën, për këngën më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare për vitin 2016.