PS dënon sulmin ndaj Ministres Nikolla

RTV KLAN 2016-11-18

Views 0

"Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, u sulmua në mënyrë tinëzare një grua e cila jo vetëm ka udhëhequr një reformë të vështirë që i shërben të ardhmes së vendit, por që ka treguar me profesionin e saj se sa pranë kërkesave dhe interesave të të rinjve është.

Personi që kreu këtë akt të shëmtuar nuk do të meritonte asnjë reagim nga ana jonë, pasi veprimi i saj nuk është asgjë tjetër përvec se shprehje e një mjerimi të madh mendor dhe etik, që meriton vetëm mëshirë.

Por reagimi bëhet i detyrueshëm, kur një personazh publik si Sali Berisha del në mbrojtje dhe mbështet publikisht dhunën ndaj ministres Nikolla.

Personit që ka kthyer parlamentin në platformën personale të shfaqjes së karagjozllëkut më ekstrem çdo të enjte dhe e ka barbarizuar komunikimin publik përtej çdo kufiri, duke mos kursyer as gratë që ka dhunuar sistematikisht nga foltorja e parlamentit, i kujtojmë se është përtej e turpshme të përdorësh një vajzë për të dhunuar një grua.

Turp për politikanë të tillë, që solidarizohen me dhunën fizike ndaj një gruaje ministre, pavarësisht se kujt force politike apo kujt qeverie i përket.

Theksojmë për qytetarët, se e drejta e tubimit dhe e protestës është një e drejtë kushtetuese, thelbësore dhe e pacënueshme. Por, si çdo e drejtë njerëzore, ajo ka një limit. Limiti mbaron, atje ku fillon e drejta e tjetrit.

Pavarësisht pakënaqësisë apo revoltës personale, qoftë kjo edhe kolektive, fyerja dhe cënimi i integritetit të figurës së tjetrit nuk respekton parimet e bashkëjetesës demokratike dhe nuk ka asnjë lidhje me ushtrimin e të drejtës për të protestuar. Protesta, si çdo e drejtë, duhet bërë sipas mjeteve ligjore dhe duke respektuar të drejtat e tjetrit.

E theksojmë, asnjë arsye nuk justifikon përdorimin e një vajze për të ushtruar dhunë mbi një grua. Sensi i protestës e rebelimit, antikonformizmi, apo, kinse, idealializmi për të dhunuar në emër të padrejtësisë nuk mund të shërbejnë kurrsesi si justifikim për të tilla akte, që nuk kanë asgjë të përbashkët me ligjin, qytetarinë, demokracinë apo shoqërinë që duam të ndërtojmë.

Një koment për deklaratën e deputetes Hafizi mbi sulmin ndaj ministres Nikolla?

Shumë shkurt. Prisnim më shumë kulturë nga ata që librin e bën parti dhe inatin e kanë ideologji."

Share This Video


Download

  
Report form