Spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit drejtojnë sot shoqatat e ish të përndjekurve politikë si dhe janë dekoruar nga Presidenti i Republikës. Konstatimi bëhet nga kreu i Partisë Rruga e Lirisë, Kurt Kola, ish i përndjekur politik.
Kola thotë për Shqiptarja.com se, shumë spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit, me anë të falsifikimit të dokumenteve, janë kthyer në ish të përndjekur politikë, duke përfituar shuma parash të akorduara nga qeveri të ndryshme, në kuadër të dëmshpërblimit.
Kola shprehet se është një listë e gjatë me bashkëpunëtorë të Sigurimit që hiqen si ish të përndjekur, por sipas tij, njëri prej tyre është Presidenti i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni.