Ministri i Drejtësi Ylli Manjani nxjerr urdhër për hetim administrativ lidhur me sqarimin e situatës së pronësisë mbi truallin në Gjirin e Lalzit, ku do të investonte shoqëria OMNIX.
Mësohet se Manjani urdhëroi mbledhjen e informacionit zyrtar nga arkiva e Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP).
Informacion do t'i kërkohet edhe ZVRPP Durrës. Urdhri parashikon nisjen e inspektimit për sqarimin e legjitimitetit të vendimeve te gjykatës së Durresit. Konkluzionet e hetimit administrativ do të bëhen të ditura në përfundim të procedurave ligjore.
Zhvillimet vijnë pas ngjarjes së rëndë që i ndodhi biznesmenit libanez Faadi Mitri që u sulmua me shkop bejsbolli pak ditë më parë në Tiranë, i cili u tërhoq nga investimi i një resorti gjigand që do të bënte në Gjirin e Lalzit.
Mitri la dje Shqipërinë së bashku me familjen duke u larguar me barelë nga spitali në drejtim të aeroportit të Rinasit. Omnix Albania, kompania e Mitritt do të investonte 450 milionë euro tek Gjiri i Lalzit.