Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burg ish ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë "Berisha", Spiro Ksera.
Ish-ministri nuk ka qenë i pranishëm në seancë, por ai përfaqësohej përmes avokatit të tij, Genc Gjokutaj.
Avokati i ish-ministrit Ksera, u shpreh se vendimi i Gjykatës së Tiranës që dënoi me 1.8 vite burg klientin e tij, nuk u mor për arsye ligjore.
Sipas tij, Ksera është i pafajshëm, ndërsa dënimit me burg i jep ngjyrime politike. Ai thotë se vendimi do të ankimohet në Gjykatën e Apelit.
"Nuk ka elementë të vjedhjes. Gjykata uli 6 muaj burg pa analizuar asnjë provë. Do t'i drejtohemi Apelit, të bindur që ish ministri Ksera është i pafajshëm, sepse janë aktet në dosje që e provojnë këtë fakt.
Mënyra e procedimit të ish ministrit Ksera është shumë e dyshimtë. Analiza të çon te konkluzioni se arrestimi është bërë për arsye joligjore.
Ta akuzosh për vjedhje dhe të mos thuash shumën, marrëveshjen që ka bërë, për mua është një vendim i paarsyetuar dhe në Gjykatën e Apelit absolutisht nuk mund të kalojë", u shpreh Gjokutaj.