Komisioni i reformës në drejtësi është mbledhur sot për të diskutuar mbi programin e punës për 6 ligjet e paketës emergjente.
Opozita ishte e pranishme në mbledhjen e komisionit të posaçëm dhe ka kërkuar ndryshimin e programit.
PD kërkon që me prioritet të diskutohet ligji për SPAK, Gjykatën Kushtetuese dhe Organet e Qeverisjes së Sistemit Drejtësisë.
Nënkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi kërkoi që ligji për SPAK, Gjykatën Kushtetuese dhe Organet e Qeverisjes së Sistemit Drejtësisë të diskutohet më 22 shtator dhe tre ligjet e tjera, më 29 shtator. Sipas Bylykbashit, shtyrja e 3 ligjeve kërkohet me argumentin se duhet më shumë kohë në dispozicion për të shqyrtuar me qetësi ligjet.
Për kryetarin e grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasilin kjo ka qenë një mbledhje konstruktive që u zotërua nga një klimë mirëkuptimi. Vasili u shpreh se u ra dakord që të ecet me paketën e 6 ligjeve.