http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në harkun kohor të 24 orëve, të gjitha kompanitë kanë rritur njëherësh çmimin e primeve të makinave, një siguracion sot kushton 25% më shtrenjtë se një vit më parë. Nëse e përkthejmë në vlerë monetare, drejtuesit e mjeteve do të paguajnë 3 mijë lek të rinj më shumë. Ervis Hoxha është një drejtues makine, i cili sot hyri në të gjitha agjencitë që tregtojnë siguracione automjetesh, por asnjëra nuk kishte çmimin që ai mund ta përballonte.Ervisi thotë se në këto kushte, nuk do të mund të presë dot siguracionin dhe do të qarkullojë pa të. Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Kjo nuk është hera e parë që 8 kompanitë e sigurimit kanë rritur në të njëjtën kohë këtë çmim. Edhe në vite të tjera ato ndryshonin çmimin në kohë të njëjta. Të kontaktuar nga Vizion Plus, drejtuesit e këtyre firmave e argumentojnë me 3 arsye kryesore: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka marrë vendim se primi i riskut nga duhet të fillojë sigurimi nuk duhet të jetë më i vogël se 100 euro, numri i aksidenteve në këtë periudhë është rritur ndjeshëm dhe rritja nga 3 në 10% e taksës për këto kompani nga Ministria e Financave ka ndikuar në këtë rritje. Por ekspertët bëjnë një tjetër llogari. Agim Binaj thotë se raporti i të ardhurave që mbledhin këto biznese me dëmet që paguajnë është mjaft i ulët. Nëse për 6 muajt e parë janë siguruar 22 milion euro nga prerja e siguracioneve, për zhdëmtim të automjetit kompanitë kanë paguar 1.7 milion. Për afro 600 mijë makinat që qarkullojnë në Shqipëri, fitimi i këtyre kompanive rritet edhe me 15 milion euro të tjera. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk ka dhënë asnjë sqarim se përse ka lejuar të ndodhë ky ndryshim dhe përse ka rritur pranimin e riskut në favor të kompanive private. Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës ka nxjerrë punonjësit në terren për të kontrolluar strukturën e çmimit dhe nëse ka dyshime për marrëveshje kartel mes tyre do të nisë hetimin për të gjobitur më pas këto firma.