Neni 13 i ligjit për prokurorinë e posaçme ose siç njihet ndryshe ligji për Byronë Kombëtare të Hetimit do të ndryshojë. Këtë e konfirmon kryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj në një intervistë për Report TV, ku sqaron se për të shmangur keqkuptimin se po censurohet media, neni do të riformulohet.
Në nenin 13 të ligjit parashikohen një seri kufizimesh në përpjekjen për të siguruar pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme, përfshirë edhe instrumentat informues.
?Çdo lloj influence e papërshtashme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre, apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, ndalohet dhe dënohet me ligj?. Por sipas Xhafajt qëllimi i hartuesve nuk ka qenë ky.
Garanci se puna investiguese e medias nuk do të kufizohet me asnjë lloj formulimi në asnjë ligj, vjen dhe nga kryetari grupit paralamentar të LSI, Petrit Vasili.
? Ky paragraf nuk ka qenë në draftin e kaluar në komision dhe është i papranueshëm. Nuk ka institucion të pakritikueshëm në demokraci. Liria e medias dimension jetik ne demokraci", është shprehur Vasili, i cili ka garantuar se LSI-ja do të kërkojë në komision heqjen e këtij paragrafi të papranueshëm sipas saj.