Strukturat qendrore të Partisë Demokratike por edhe lokale të Dibrës janë fokusuar në fushatën elektorale për zgjedhjet e pjesshme në këtë Bashki.
Nënkryetari i PD, Edi Paloka pasi ka mbledhur grupin parlamentar, i mandatuar nga kryetari Basha për drejtimin e shtabit elektoral në Dibër, tha se opozita është e vendosur të sigurojë fitoren në këto zgjedhje e për tua kthyer bashkinë qytetarëve të saj.
Sipas tij, PD është e vendosur për një fushatë legjitime.
?Sherefedin Shehu meriton gjithë vlerësimin e dibranëve dhe strukturave të PD, nderon PD dhe Dibrën. Përçarja e zgjedhjeve të fundit që ndikoi dhe solli humbjen e PD në Dibër këtë herë nuk ka të njëjtat raporte mes strukturës së partisë?, tha ai.
Nënkryetari i PD tha gjithashtu se strukturat e PD në këto zgjedhje janë të bashkuara ndërsa çdo anëtar i PD që do të dalë kundër do të konsiderohet si kundërshtar i kësaj force politike.
"Kush do të largohet apo ca më zi të rreshtohet te kundërshtarët do të marrë përgjigjen si kundërshtarë të PD-së", u shpreh Paloka.
Këtë përgjigje dha kreu i shtabit për zgjedhjet në Dibër, pas mungesës së ish kryetarit të PD, gjatë prezantimit të kandidatit Sherefedin Shehu.
Të shtunën Partia Demokratike dhe aleatët e saj prezantuan para strukturave të PD dhe të qytetarëve në Dibër kandidatin Sherefedin Shehu për zgjedhjet e pjesshme lokale.
Një ditë më parë PS dhe aleatët zyrtarizuan Muharrem Ramën si kandidat në këtë proces elektoral.