Ndërsa Qeveria ka miratuar ndërtimin e dy resorteve gjigande në Gjirin e Lalzit, Report TV ka mësuar se janë të paktën 7 propozime nga subjekte privatë për fshatra turistikë në këtë zonë. Propozimet janë pasqyruar në hartën e Planit për Zhvillimin e Bregdetit.
7 projektet shtrihen në pikat më të mira të Gjirit të Lalzit, zona turistike më e kërkuar për momentin në gjithë territorin e vendit. Ato janë të përqëndruara në një hapësirë prej pak kilometrash dhe të pozicionuara shumë pranë detit. Fshati i parë, sipas hartës, mendohet të ngrihet në Rrushkull, për t?u pasuar nga një i dytë në Hamallaj dhe një i tretë në Shkafane.
Katër kërkesat e tjera shtrihen drejt Kepit të Rodonit, në Fushë Draç, Draç, Shetaj dhe Likmetaj. Ndërkohë që në hartë është paraqitur edhe një propozim për ndërtimin e një porti jahtesh, i pozicionuar në fund të Gjirit të Lalzit, pranë Kepit të Rodonit.
Por planet për ndërtimin e fshatrave turistik në zonë nuk përfundojnë këtu. Diçka më larg nga vija bregdetare vërehen edhe 2 projekte të tjerë për fshatra turistike: përkatësisht në Manëz dhe Likmetaj. Por, ashtu si dhe në rastin e një resorti turistik me vlerë 180 milionë euro, të sapo miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territor, edhe për 7 propozimet në fjalë nuk jepen të dhëna as mbi vleren e investimeve dhe as mbi subjektet që i kanë propozuar.
Duke parë krizën që ka përfshirë sektorin e ndërtimit, resortet e fshatrat turistikë në Gjirin e Lalzit kanë ofruar norma mjaft të larta fitimi për disa kompani që kanë investuar në zonë. Apartamentet më të lira në këto resorte vlejnë rreth 50 mijë euro, ndërkohë që çmimi i vilave luksoze shkon deri në 400 mijë euro.