Meta: Opozita kërkon tension, por ne s'duhet t'i përgjigjemi njësoj
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u shpreh sot gjatë festës për drejtësinë se opozita kërkon tensione politike, por nga ana tjetër mazhoranca nuk duhet t'i përgjigjet njësoj. Ai tha se ka ardhur që klasa politike të lerë mënjanë konfliktin politik dhe të bëhet bashkë për sfidat e integrimit europian të Shqipërisë.
"Kam një mesazh për kolegët e mazhorancës. S'duhet të harrojmë se kemi qenë në opozitë, në një vend demokratik rotacioni i pushtetit është i pashmangshëm ku të gjithë ne do të jemi në opozitë një ditë. E kuptoj kur opozita kërkon tension, por s'besoj se është interesi i mazhorancës dhe qeverisë që t'i përgjigjet në të njëjtën mënyrë. S'fitojmë ndonjë gjë nëse e bëjmë opozitën që të duket më keq. Duam që Shqipëria të duket më mirë përpara NATO-s, SHBA e BE.
Dua të theksoj se kam dhe një mesazh tjetër për kolegët opozitarë e ata të mazhoranës, e kam menduar rrugës kur po kthehesha me avion: "Le të punojmë për vendin tonë, të paktën për reformën në drejtësi e reformat e tjera kyçe që kanë të bëjnë me rritjen e konsolidimit dhe shtetit të së drejtës, shtet që ofron siguri për të gjithë". Le të punojmë për vendin tonë siç punojnë dy të huaj për integrimin europian të Shqipërisë siç punon Knut Fleckenstein i majtë dhe Eduard Kukan i djathtë. S'do ta harroj kur e kam marrë në telefon Fleckenstein dy ditë para votimit dhe i kam kërkuar ndjesë që e kam shqetësuar, për ta informuar dhe më ka thënë, më merr në çdo orë të ditës dhe natës, kjo gjë duhet të mbyllet me sukses. Më pat thënë që nesër paradite kam për katër orë një operacion dhe po ndodhi ndonjë gjë, më bëj SMS. Dua t'ju them shumë sinqerisht se për Ilir Metën kryetar parlamenti s'ka rëndësi ku do të jetë pas një viti, pas zgjedhjeve të ardhshme, as pas 10 vitesh e as pas 30 vitesh, por për Ilir Metën si shqiptar ka rëndësi se ku do të jetë Shqipëria pas 30 vitesh. I ftoj kolegët që në këtë moment historik, ku me votimin e 22 korrikut i kemi dhënë një shpresë popullit të ngrihemi në lartësinë e një momenti historik. Ky është detyrimi më i madh që kemi për të ardhmen e vendit e të fëmijëve tonë.
Pse ne pas 26 vitesh demokraci të mos bëjmë një pak, paktin e drejtësisë që t'i mbajmë duart larg nga kjo drejtësi që lindi mesnatën e 21 korrikut?", u shpreh Meta.