Rama: Reformën në drejtësi s'e ndal dot asgjë dhe asnjë
Kryeministri Edi Rama e përshkroi të gjatë dhe të vështirë rrugën e miratimit në drejtësi, duke përmendur edhe tendencat e bllokimit politik ndaj kësaj reforme.
Kreu i qeverisë theksoi se presioni i SHBA e BE, tronditi murin bllokues të Partisë Demokratike, të cilët siç tha kryeministri, nuk donin që reforma në drejtësi të miratohej.
Rama theksoi se reforma nuk do të ndalet, ndërsa shtoi se vështirësitë do të jenë evidente me miratimin e 7 ligjeve.
"Këtu ka fituar Shqipëria. Rruga e kësaj reforme kaq radikale, nuk është më e lehtë tani që kaloi reforma kushtetuese, por do të jetë e vështirë në çdo hap qoftë me 7 ligjet urgjente që kanë radhën tani, qoftë me fillimin e zbatimit të tyre që është një histori krejt më vete dhe dhjetëra ligje të tjera. Çdo hap do të jetë një betejë. Një reformë si kjo as që mund të imagjinohej ndryshe se sa hoqëm dhe çdo të heqim akoma. Hyja tek një pakicë e vogël që besoja se reforma në drejtësi do të bëhej. Pas 21 korrikut hyj te shumica dërrmuese e shqiptare që mendojnë se këtë reformë nuk e ndal më asgjë dhe asnjë", tha Rama.
Sipas tij, miratimi i reformës në drejtësi me 140 vota erdhi për tre arsye: presioni i vullnetit popullor, presioni i pazakonshëm i aleatëve strategjike ndaj bllokuar kundër reformës si dhe presioni që krijoi brenda këtij blloku, kuraja e disa deputetëve që garantuan shumicën për miratimin e kësaj reformë.
Kreu i qeverisë vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në procesin e miratimit të reformës. Sipas Ramës, roli i SHBA dhe BE ishte ai i një "engjëlli mbrojtës" për reformën.
?As ekspertët e nivelit të lartë dhe as të Venecias nuk do ia kishin dalë nëse SHBA dhe BE nuk do të kishin bërë si asnjëherë më parë në 25 vite mbështetje për Shqipërinë. Nuk do kishin bërë engjëllin mbrojtës së reformës përballë dallgëve mbytëse të të korruptuarve të drejtësisë. Me mbështetjen e SHBA, ndihmën e Komisionit të Venecias, diturinë e ekspertëve të nivelit të lartë vendas e të huaj, me vullnetin e kësaj shumice qeverisëse dhe me gatishmërinë tonë për t'i pranuar opozitës çdo kërkesë që gjen dakordësinë e Brukselit dhe Uashigonit, do t'ia dalim ta shpëtojmë drejtësinë nga kthetrat e të korruptuarve për të çelur negociatat e BE?- deklaroi Rama.