Dy persona kanë mbetur të vdekur në Vlorë, ndërsa njëri është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin rajonal pas një atentati në një pikë bastesh.
Viktimat janë Ilir Deromemaj 45 vjeç dhe Dhimitër Cani 60 vjeç ndërsa i plagosuri është Krenar Runaj 50 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes në rrugën e spitalit, në një pikë bastesh në pronësi të Ilir Deromemajt dhe sipas policisë ishte pikërisht ky i fundit objektiv i atentatorëve.
Ai u ekzekutua me një breshëri kallashnikovi nga një person i paidentifikuar nga një makinë që ishte në lëvizje dhe që më pas u largua me shpejtësi. Ilir Deromemaj është person me precedent penal, pasi në vitin 1998 ka vrarë shtetasin Lame Gockaj.
Por plumbat kanë kapur aksidentalisht edhe 60-vjeçarin Dhimitër Cani kambist që humbi jetën menjëherë në vend dhe Krenar Runajn 50-vjeç, që mbeti i plagosur.
Viktima e dytë Cani dhe i plagosuri Runaj ishin të ulur rastësisht në pikën e basteve në pronësi të Deromemajt kur u qëlluan.
Policia ka shoqëruar disa dëshmitarë që ishin të pranishëm në pikën e basteve për të identifikuar dhe arrestuar autorët, ndërsa ka ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët dalëse dhe hyrëse të qytetit, me qëllim kapjen e autorëve.
Rreth 3 orë pas vrasjeve policia e qytetit bregdetar ka gjetur një makinë të djegur pranë varrezave në fshatin Alikok, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit.
Mjeti i gjetur është tip ?Jeep? me targa AA 210 FS, ndërsa rezulton i vjedhur në Fier para 2 muajsh.