Partia Socialiste kremtoi sot 25 vjetorin e themelimit përmes një ceremonie të posaçme në oborrin e pasëm të selisë rozë. Në ceremoni morën pjesë rreth 1500 të ftuar, themelues të PS, anëtarë, deputetë, ministra, partnerë të koalicionit si dhe përfaqësues të medias. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherazi kryeministri Edi Rama, u shpreh se "PS është e vetmja forcë politike që garanton ndryshimin e Shqipërisë".
Sipas tij, Partia Socialiste është e ardhmja e Shqipërisë dhe se ajo do të mbetet forca e parë dhe forca udhëheqëse në këtë vend.
Ai theksoi se në fokus të politikave të qeverisë janë shqetësimet e qytetarëve, ndërsa pranoi se qeveria ka bërë edhe gabime, por ajo nuk janë të qëllimshme. "Politika në vendin më të lartë nuk rrjedh fjollë. Sa më lart të ngjitesh aq më pak rrjedh. Nuk mund t'i kënaqësh të gjithë gjatë gjithë kohës. Ka ca njerëz që s'mund t'i kënaqësh kurrë. Kam mësuar se shumica e njerëzve janë të qartë dhe na mbështesin, për aq kohë sa ne jemi të zakonshëm dhe gabimet tona nuk janë të qëllimshme. Qeveria jonë është e fokusuar seriozisht tek shqetësimet e njerëzve. Është momenti për t'i falenderuar të gjithë deputetët që janë në lartësinë e këtij prioriteti themelor dhe të gjithë përfaqësuesit tonë në çdo nivel", theksoi kryesocialisti Rama.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nuk është i pranishëm në përvjetorin e PS për shkak të vizitës së tij zyrtare në Malin e Zi.
Si thuajse në çdo përvjetor të Partisë Socialiste vitet e fundit, lideri historik i socialistëve, Fatos Nano edhe në këtë përvjetor jubilar nuk ka marrë pjesë.