Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland ka deklaruar gjatë konferencës për shtyp, pas takimeve me krerët e politikës shqiptare, se ambasadori amerikan, Donald Lu dhe kolegia e tij e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, kanë bërë një propozim të ri për reformën në drejtësi.
Ajo ka theksuar se propozimi i ri është një përmbledhje e qëndrimeve të opozitës dhe mazhorancës. Nuland theksoi se oferta e ambasadorit Lu e Vlahutin, ka mbështetjen e SHBA-BE dhe të Komisionit të Venecias. Zyrtarja amerikane theksoi se propozimi i ri po negociohet mes mazhorancës e opozitës.
"Në 24 orët e fundit, ambasadori Lu dhe kolegia e tij e BE, kanë bërë një propozim të ri, që mund të ndihmojë palët. Ky është një propozim hibrid i cili ka marrë ide nga qeveria dhe opozita shqiptare dhe gjithashtu është në përputhje me propozimin e Komisionit të Venecias. Ky propozim ka mbështetjen time, ka mbështetjen e gjerë nga Uashingtoni dhe nga lidershipi aty. Kam pasur mundësi që ta shqyrtoj me hollësi në takimin tim me kreun e qeverisë dhe atë të opozitës. I kam nxitur që të dy ata, në emrin tim e të personave nga Uashingtoni që të mblidhen së bashku rreth asaj që është propozuar. Ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje. Populli shqiptar është duke pritur. Është çasti që të gjithë patriotët e Shqipërisë të mund të bashkojnë forcat dhe të japin atë që ky vend po pret. Me një reformë të fortë në drejtësi, Shqipëria mund të vazhdojë të ecë përpara edhe në çështje të tjera si ekonomia, krijimi i vendeve të punës", u shpreh Nuland.