Propozimi i opozitës për formulën e re të zgjedhjes së gjyqtarëve në katër institucionet e reja që krijohen pas reformës në drejtësi, ndodhet në tryezën e mazhorancës prej 17 ditësh. Këtë fakt e bëri publik sot për herë të parë kryetari i PD, Lulzim Basha, gjatë një komunikim me mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar dhe takimin me aleatët. Basha tha është shumica parlamentare që refuzon të paraqesë argumentet se pse e refuzon edhe këtë formulë kompromisi.
"Opozita prej 17 ditësh, prej datës 24 qershor, i ka ofruar mazhorancës përmes një formule në përputhje të plotë me rekomandimin 88, kompromisin për të miratuar reformën në drejtësi. Deri ditën e sotme ne nuk e kemi bërë publik këtë fakt, me shpresën se pala tjetër do të negociojë për zgjidhje. prej 17 ditësh, PS jo vetëm e refuzon kompromisin, por po kështu refuzojnë të paraqesin argumentet se pse kjo zgjedhje në pikëpamjet e tyre është e papranushme. Në këto kushte sa më shumë mazhoranca futet në llogoret e saj duke refuzuar jo vetëm rekomandimin 88, por edhe logjikën e vullnetin për të shkuar drejt një zgjidhje, aq më shumë shqiptarët e kanë të qartë se Rama nuk e do reformën në drejtësi, por fajin kërkon t'ia lerë PD-së dhe opozitës", u shpreh Basha.
Kreu i PD theksoi se ky është propozimi i tretë i opozitës për gjetjen e konsensusit, ndërsa akuzoi kryeministrin se kërkon të fajësojë opozitën për dështimin e reformës. "Nëse dështon, përgjegjës është Edi Rama. Ka vetëm një rrugë, të pranojë formulën e kompromisit, e treta që opozita propozon. E para ishte ajo e OPDAT-EURALIUS, e dyta ka qenë propozimi i 6 qershorit sipas rekomandimeve të Venecias. Ky është propozimi i tretë dhe Edi Rama vazhdon të insistojë në mospranimin e këtij propozimi pa asnjë argument. Është frika që ai ka nga reforma në drejtësi. T'ia lerë fajin opozitës s'ka për të ndodhur. Ne do ta bëjmë këtë ofertë tonën publike. Ka vetëm shpresën që në 21 korrik të drejtojë gishtin tek opozita. E ftoj të reflektojë. Kjo nuk është një përplasje mes Bashës e Ramës, kjo është një çështje shumë më e madhe që i takon çdo shqiptari. Sot na ndan vetëm kjo çështje, ofertën e ka në tavolinë. Nëse ka një kundërshtim të vetëm, ta paraqesë me shkrim dhe këtë debat e bëjmë publik përpara qytetarëve. Formula jonë është e bazuar mbi opinionin final të Venecias", theksoi Basha.
Kreu demokrat shtoi se shqiptarët e dinë që Rama ka frikë nga reforma në drejtësi. Ai theksoi se nëse kreu i mazhorancës shkon në zgjedhje të parakohshme me idenë që të fajësojë opozitën për mosmiratimin e reformës në drejtësi, atëherë kostot do të bien mbi të.
"Nëse ka bërë plan të shkojë në zgjedhje të parakohshme me këtë "kalë beteje", e ka gomarë të ngordhur, se nuk ka shqiptar të ta besojë se Edi Rama nuk ka frikë nga drejtësia, që nga CEZ, koncesionet e Beqes, grabitjet e bandës së kriminelëve të lidhur me Saimir Tahirin që kanë shpallur zonën Fushë Krujë-Durrës zonë të lirë krimi", tha Basha.