Ish-Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, shprehet se grabitja e djeshme në aeroportin e Rinasit ka bashkëpunëtorë në radhët e kompanisë së sigurimit, por nuk përjashtohet edhe në radhën e punonjësve të Bankës. I ftuar në "45 minuta" nga Denis Minga në Report Tv, Klosi tha se grabitësit kanë pasur informacion të plotë për lëvizjen e parave. "Autorët e grabitjes kanë pasur informacion. Ka punonjës të korruptuar që kanë nxjerrë informacione se do transportohet një shumë e caktuar parash", u shpreh Klosi.
Ai theksoi se mekanizmi i grabitjes dhe njoftimi me vonesë i Policisë së Shtetit, tregon për skenar të organizuar. "Porta ku ka ndodhur grabitja është shumë e thjeshtë, porta Cargo e cila vetëm një menteshë dhe një dry, të cilin e kanë hequr fare. Lajmërimi që iu bë Policisë, u bë me mjaft vonesë. Pra, ka pasur një dëshirë për të vjedhur nga ata që e kanë pasur në dorë. Porta 'Cargo' hapet shumë herë në ditë, pasi të gjitha materialet që vijnë në rrugë ajrore aty do të kalojnë", tha Klosi.
Ai theksoi se përgjegjësia e grabitjes bie mbi firmën private që ruan aeroportin, por edhe mbi policinë e shtetit.
"Aeroportet në këtë pistë janë objektet më të ruajtura, pasi edhe terrorizmi aty godet, pasi aty bëhet shumë bujë. Janë në qendër të vëmendjes edhe nga media e opinioni publik. Këta mund të ishin edhe terroristë. Përgjegjësia është e atyre që kanë marrë përsipër aeroportin e Rinasit. Qoftë edhe kompania. Duhet parë nëse policia i ka parametrat për ruajtjen e aeroportit. Shteti ka detyrimin që policinë private ta mbajë nën kontroll, për efiçencën e tyre. Firma funksionon vetëm kur vijnë paratë? Ndaj duhet kontroll i rreptë", deklaroi më tej, ish kreu i SHISH, Fatos Klosi.