Në konferencën e përbashkët për shtyp në mbyllje të vizitës në Shqipëri, FMN i kërkoi përsëri qeverisë të përmirësojë performancën e administratës tatimore në mbledhjen e taksave, si dhe të shmangë rishfaqjen e detyrimeve të prapambetura ndaj kompanive private.
Përfaqësuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Anita Tuladhar, tha se mbledhja e taksave vendore është në nivel të ulët dhe la si detyrë rishikimin e formulës dhe përmirësimin e mbledhjes së taksës mbi pronën. Ajo shtoi se rritja ekonomike do të jetë brenda pritshmërive prej 3.4%, ndërkohë që qeveria duhet të vazhdojë në zbatimin e reformave.
"Shqipëria parashikohet të ketë një rritje ekonomike prej 3.4% përqind deri në fund të vitit. Inflacioni parashikohet deri në 1.8%. Në fund të gushtit Fondi do të lëvrojë paketën prej 36 milionë euro", u shpreh Tuladhar.
Sa i përket performancës së taksave vendore, Tuladhar theksoi se duhet të lëvizet shumë shpejt drejt vendosjes së tatimit mbi pronën duke u bazuar te vlera e saj. "Natyrisht që për të pasur një konsolidim të qëndrueshëm fiskal është e domosdoshme zgjerimi i bazës tatimore, por edhe rritja e performancës së administratës fiskale", tha Tuladhar.
Ajo theksoi se sektori është likuid, por niveli i kredive vijon të mbetet nën standarde. "Sektori bankar mbetet likuid dhe i kapitalizuar. Kemi një nivelit të kredive nën standarde", tha ajo.
Nga ana e tij, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se shifrat flasin për një rritje të qëndrueshme ekonomike, e cila pritet të japë rezultate në rritjen e punësimit dhe synimin për të ulur borxhin publik. Ai shoi se për biznesin do të ketë thjeshtim për procedurat tatimore dhe doganore, të cilat kanë synim përmirësimin e klimës së sipërmarrjes.