Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta fton në takim kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha me axhendë diskutimi reformën në drejtësi. Gjatë një konference për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, pas takimit me ambasadorin e SHBA, Donald Lu e atë të BE, Romana Vlahutin, Meta tha se drafti duhet të kalojë në kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit, ndërsa theksoi se duhet adresuar zgjidhja përfundimtare e miratimit të reformës në seancë. Kreu i Kuvendit tha gjithashtu se takimi duhet të zhvillohet deri ditën e hënën, ndërsa vendin dhe formatin e tij ia la në dorë Bashës.
"I kam dërguar një ftesë kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për tu takuar me të në çdo kohë që ai e çmon të arsye, në çdo vend dhe në çfarë do lloj formati, por mundësisht deri në ditën e hënë", u shpreh Meta.