Prokuroria e Përgjithshme ka refuzuar një dokument të depozituar nga Partia Socialiste në procesin e hetimit të deputetit demokrat Flamur Noka. Në hetimin që po bën për këtë të fundit në kuadër të dekriminalizimit, Prokuroria ka thënë se dokumenti nuk mund të konsiderohet si provë, pasi është e paqartë. ?Struktura ?Për dekriminalizimin? në Prokurorinë e Përgjithshme po kërkon informacione mbi kallëzimin e bërë nga një grup deputetësh, në ngarkim të subjektit Flamur Noka. Kallëzimi është shoqëruar me një material, i cili nuk mund të konsiderohet provë dhe është i paqartë. Për këtë arsye, Prokuroria do të kërkojë materiale shtesë në strukturat e specializuara, për të vlerësuar nëse ka vend ose jo për hetim të mëtejshëm?,-njoftoi dje Prokuroria e Përgjithshme.
Burime pranë Partisë Socialiste sqarojnë për Shqiptarja.com se dokumenti në fjalë, është një akt që ruhej në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, ku dega e Sigurimit të Shtetit të Kukësit, në vitin 1991, informonte drejtorinë përgjegjëse në Ministrinë e Brendshme lidhur me disa probleme të dala gjatë kalimit të paligjshëm të kufirit nga disa shtetas në Kukës. Ky dokument përmban rrëfimin e Flamur Nokës pas rikthimit në atdhe pranë autoriteteve shqiptare, ku tregonte ofertën e UDB-së, refuzimin dhe kthimin. Por Prokuroria e përgjithshme, nisur me logjikën e tanishme ligjore që një material i SHISH nuk mund të përdoret si provë rënduese nga organi i akuzës, por si vetëm si indicie, e ka refuzuar materialin e PS-së, dhe po kërkon informacion plotësues nga organet ligjzbatuese.