Ajo udhëton në gjithë botën për të inkurajuar të rinjtë të kthejnë idetë e tyre në biznes dhe gratë të mposhtin dhunën. Ish viktimë e dhunës brenda familjes, sipërmarrësja e suksesshme britanike Madi Sharma, tregon në një intervistë për Report TV historinë e saj të dhimbshme, dhe objektivin e saj më të madh për të sjellë ndryshimin nëpërmjet ideve që kanë të rinjtë në mbarë botën.
Së pari, faleminderit për këtë intervistë, për mua ishte kënaqësi që ju takova. Kjo është hera juaj e parë në Shqipëri apo jo?
Madi: Kjo është hera e parë në Shqipëri, hera e parë në Tiranë, dhe më besoni do ta kem shumë të vështirë të iki. Më pëlqen shumë këtu. Unë kam udhëtuar në gjithë botën, e mund të them se kam qënë thuajse kudo por ndjehem më e sigurt këtu. Energjia në qytet është e jashtëzakonshme. Kisha parë fotografi të Shqipërisë nga miq të mi këtu, por nuk krahasohet me atë që pashë.