Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi voton unanimisht në parim për Reformën në Drejtësi. Opozita dhe mazhoranca kanë votuar në parim draftin final të ekspertëve ndërkombëtarë për ndryshimet kushtetuese.
Fill pas përfundimit të mbledhjes, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi deklaroi se opozita nuk votoi ?pro? çështjeve politike. Ai theksoi se tashmë do të nis diskutimi për shqyrtimin e draftit nen për nen. Halimi deklaroi se i ka propozuar komisionit një formulë tjetër alternative për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe njerëzve të drejtësisë që nuk do të jetë as 3/5 as 2/3. Ndërkohë mbërritja e këtij propozimi mohohet nga ana e mazhorancës
?Sot përfunduam procesin e diskutimeve të draftit të sjellë nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, të draftit të rishikuar të datës 4 maj. Opozita në këtë komision pas qëndrimit të shprehur qartë edhe ditën e djeshme, qëndrim i cili u bë edhe gjatë ditës së sotme në komision, votoi pro fillimit të diskutimit të amendamenteve nen për nen, amendamente të cilat do të fillojnë diskutimin nga dita e nesërme dhe në ditët në vijim. Vota jonë pro fillimit të procesit të amendamenteve, të diskutimeve nen për nen të amendamenteve Kushtetuese, nuk duhet të interpretohet, ashtu siç dhe u ra dakord në mbledhje, nuk duhet të interpretohet si një votë pro çështjeve politike, të cilat ekspertët e misionit të EURALIUS dhe OPDAT nuk i kanë marrë në trajtim.