IRANË- Grabitja e prindërve të Elton Çiçajt më 31 mars 2015 në Tepelenë, dyshohet se ka të bëjë me një përplasje për trafik lëndësh narkotike.
Prishja e pazareve të drogës me një nga të dyshuarit e grabitjes, Robert Rama është pista e dytë në të cilën policia po kryen hetimet në lidhje me vrasjen e 36-vjeçarit Elton Çiça mrëmjen e së dielës në zonën e ish-Bllokut.
Robert Rama, i ekzekutuar në Durrës 3 muaj pas grabitjes dyshohet se ka patur lidhje me Elton Çiçajn për çështje narkotikësh dhe grabitja ka ndodhur pikërisht për këtë.
Ai ka shfrytëzuar lidhjen me Ervis Imerin, për të hyrë në shtëpinë e familjes Çiça, pasi ky i fundit kishte qenë më parë aty për të vendosur dyert dhe dritaret duralumin.
Pas 3 muajsh nga grabitja, Robert Rama u ekzekutua në Durrës, ndërsa në korrik ndaj Ervis Imerit u krye një atentat me eksploziv, nga i cili shpëtoi. Pas tij në shënjestër u vu i vëllai Eltoni, i cili mbeti i gjymtuar nga eksplozivi i vendosur në automjetin e tij.
Ndërkohë detaje të reja kanë dalë sa i përket vrasjes së të dielës pranë Stadiumit" Selman Stërmasi".
Mësohet se policia ka vënë në pranga një nga personat që ndodheshin në tavolinë me viktimën Çiça. Mësohet se bëhet fjalë për një person me profesion mjek, pasi ai dyshohet se ka fshehur pistoletën e viktimës.
Një tjetër detaj është se viktima Elton Çiça lëviste me automjet të blinduar, i vetëdijshëm për rreziqet që mund t'i kanoseshin.