Premtimi që çdo fermer shqiptar të marrë ujë në tokën ku punon, shumë shpejt do të jetë një realitet i prekshëm edhe për fermerët e Korçës. Për të vënë në jetë këtë zotim qeveria ka vendosur në dispozicion një buxhet prej 5 miliardë lekësh që ka tejkaluar çdo dhënie fondesh të bëra deri më tani në ujitje dhe kullim nga qeveritë e mëparshme.
Aktualisht, në të gjithë zonën e Korçës po punohet në vijimësi për hapjen dhe mirëmbajtjen e kanaleve të ujitjes dhe të kullimit. Kryeministri Edi Rama ishte Lumanas, Korçë, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo dhe përfaqësues lokalë të zonës për të inspektuar ecurinë e këtij procesi tejet të rëndësishëm për bujqësinë.
Kështu, vetëm në qarkun Korçë përfundojnë këtë vit 180 km pastrim kanalesh me fonde nga qeveria qendrore. Kjo mbështetje do te vijojë edhe ne vitet në vijim, duke u bazuar tek rezultatet konkrete të bashkisë në funksion të fermerit.
Kryetari i bashkisë së Korçës Sotiraq Filo informoi se deri tani janë pastruar rreth 140 kilometra kanale të dyta dhe të treta në pjesën e vaditjes, mes tyre edhe shumë kanale që kishin vite pa u pastruar.