Gjobat e vendosura për automjet e kompanisë së Nikollaq Neranxit ka bërë që ai të konfliktohet me punonjësit e policisë dhe kjo e fundit ta shoqërojë për në ambientet e policisë së Tiranës. Në një intervistë për Report Tv ai ka mohuar se ka ofenduar punonjësit e policisë.
Ngjarja është shënuar këtë pasdite në Tiranë, ku sipas policisë një efektiv i rrugores është sharë dhe ofenduar sapo ka vendosur masa administrative për disa automjete të cilat ishin parkuar gabim në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës.
Sakaq, ai ka shtuar se, ka kërkuar që të shkojë vetë në polici, ndonëse është ndjerë keq, pasi shoqërimi është bërë në prani të ambasadores së Kinës, e cila ka qenë e pranishme në momentin e ngjarjes.
?Nuk kam ofenduar asnjë punonjës policie, kam kërkuar vetë të shkojë në polici pas përfundimit të panairit. Policia më tha se do të shoqërohej me urdhër. Më erdhi keq pasi gjatë shoqërimit ishte dhe ambasadorja e Kinës, vend me të cilin kompania ime ka bashkëpunim? tha ai.
Përpara se të shoqërohej për në polici, sipas të dhënave, Neranxi ka hyrë në ambientet e kompanisë së tij ku po mbahej një panair dhe ka folur përpara të pranishmëve, ku ka thënë se, personat që shfaqen në hyrje të kompanisë, nuk janë policë.
?Unë do shkoj në polici për tu sqaruar. Të nderuar pjesëmarrës njoftoni ambasadat, Shqipëria dhe shqiptarët po rrezikojnë. Nuk duhet të jenë polica, shikoni dokumentet. Nuk ka mundësi të jenë polica, policia e shtetit është e respektuar nga ne. Ata kanë ardhur pa mandat të arrestojnë kryetarin e Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe tregut të Shqipërisë. Nxirrini përjashta, përjashta, përjashta?, shprehet Neranxi.