Të ardhurat vjetore të Radiotelevizionit shtetëror Shqiptar kanë arritur një nivel të lakmueshëm për këdo. Sipas raportit, të paraqitur së fundmi nga ana e Këshillit Drejtues të RTSH në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë vitit 2015 në total u arkëtuan 2 miliardë e 531 milionë lekë të ardhura, nga të cilat 357 milionë lekë janë të financuara nga Buxheti i Shtetit për zërat e përcaktuar me ligj, ndërkohë që pjesa tjetër, që përbën 86 për qind të tyre, është siguruar nga taksa që u merret banorëve dhe bizneseve në faturën e konsumit mujor të energjisë elektrike, si dhe nga të ardhura dytësore.
Pra, e ?përkthyer? në valutë të huaj, RTSH ka patur në dispozicion gjatë vitit të kaluar një buxhet prej 18.4 milionë eurosh. Megjithatë, të paktën në dy pika të rëndësishme, taksapaguesit mund të kenë jo pak vërejtje për ?lumin? e parave që kanë dërguar drejt një operatori mediatik, në pronësi teorike të të gjithëve. Së pari, sa e ka luajtur rolin e vet ky institucion, duke u bërë interesant, duke rritur shikueshmërinë e vet. Dhe, së dyti, sa e ka realizuar projektin madhor të dixhitalizimit, për të cilin janë bërë debate të shumta, edhe politike.