Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka diskutuar programin e Partisë Demokratike për arsimin dhe bujqësinë më të rinj, fermerë dhe banorë të Mulletit, Baldushkut dhe Priskës. Duke i'u përgjigjur interesimit të të rinjve për arsimin e lartë, zoti Basha ritheksoi se ligji i arsimit të lartë i hartuar në mënyrë klienteliste do të shfuqizohet dhe në qendër do të vendoset studenti.
Të gjithë të rinjve, tha zoti Basha do t?u garantohet e drejta për arsimim, ndërsa studentët do të mbështeten nga buxheti i shtetit. Tarifat do ulen përmes bashkëfinancimit direkt për cdo student nga buxheti. Masa e bashkëfinancimit do të përcaktohet nga dega dhe cilësia e universitetit ku studion studenti. Kjo sipas liderit të opozitës do të nxisë konkurrencën mes universiteteve për cilësi, si dhe do orientojë të rinjtë të studiojnë në bazë të nevojave të tregut.
" Çdo të riu e të reje shqiptare do t?i jepet mundësia për arsim. Do të vendosim studentin në qendër të vëmendjes. Studenti vendos vetë ku do të studiojë. Qeveria përcakton nivelin e mbështetjes. Përshembull po studiove Juridik do të kesh 50 pikë bonus. Po studiove Inxhinieri Mekanike do të kesh 100 pikë bonus. Po studiove Zooteknikë, Agronomi do të kesh 120 pikë bonus. Pse?! Sepse unë e di që një inxhinier mekanik, një agronom, nesër brenda tregut shqiptar dhe në bashkëpunim me tregun europian do ta kemi shumë më të lehtë ta punësojmë, pra të krijojmë vlerë të shtuar, sesa një person me një profesion që është më i kudogjendshëm dhe më pak i përdorshëm."