Report TV - Shefi i Shtabit të FA, Bazo: Hetim shkaqeve të rrëzimit të helikopterit

Report TV 2016-04-06

Views 0

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazo, konfirmoi se dy pjesëtarë të ekuipazhit të helikopterit EC 145, Florian Delia dhe Donald Hoxha, të rrëzuar në Shkodër, kanë humbur jetën. I plagosur, sipas tij, ka mbetur piloti i tretë Gerald Baramuça, i cili po merr trajtimin mjekësor në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

"Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, përcjellim ngushëllimet më të ndjera për familjet e të rënëve në krye të detyrës. Dhe urojmë shërim të shpejtë të të plagosurit", u shpreh Bazo.

Ai deklaroi se FA-të humbën dy pilotë devotshëm dhe të talentuar. Sipas tij, pilotët kanë qenë profesionistë dhe të trajtuar brenda e jashtë vendit. Ai theksoi gjithashtu se Forcat e Armatosura, do të hetojnë shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik.

"Pilotët kanë qenë të trajnuar gjerësisht brenda dhe jashtë vendit. Kemi angazhuar burimet në dispozicion për të hedhur dritë mbi rrethanat në të cilat ka ndodhur ky aksident tragjik. Do t'ju kërkoja mirëkuptimin tuaj, pasi në të tilla raste të ngjashme kudo në botë, kërkohet një kohë e domosdoshme maturie, saktësie profesionale, për të hedhur dritën e duhur mbi incidentin në fjalë dhe iu premtojmë shpeshtësinë e informacioneve të duhura, të cilat do t'i ndajmë me publikun, të cilët njësoj si ne ndajnë të njëjtin hidhërim e respekt për punën e lavdërueshme të pilotëve", tha Bazo.

Ai theksoi gjithashtu se fluturimi është kryer brenda rregullave dhe se mjeti fluturues i ishte nënshtruar kontrolleve dhe përgatitjeve që bëhen në këto raste.

"Itinerari i fluturimit të këtij helikopteri ishte brenda trajektores së itinerarit gjatë një stërvitje fluturim rutinë. Shërbente për operacionet e kërkim shpëtimit. Ky ishte qëllimi i fluturimit", vijoi Bazo.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Jeronim Bazo, ka sqaruar se helikopteri i aksidentuar është i tipit EC 145, i cili është futur në përdorim të FA në Nëntor të vitit të kaluar dhe shërbente për operacionet e kërkim- shpëtimit.

Share This Video


Download

  
Report form