TIRANË- Formalizimi është një e mirë e përbashkët dhe informaliteti një sëmundje që na prek të gjithëve. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama në prezantimin e fazës së dytë kundër informalitetit.
Sipas Ramës, faza e dytë e informalitetit është përgjigja përfundimtare për të gjithë ata që e panë me skepticizëm aksionin kundër informalitetit të nisur në muajin shtator.
"Synimi ynë është që bizneset në Shqipëri të rrijnë edhe vite të tëra pa u kontrolluar, por sistemi të jetë i tillë që mungesën e kontrolleve të vazhdueshme në terren ta kompensojë me kapacitet monitorues në çdo sekond. Sot ne kemi në sistemin tonë një tru elktronik për të konsoliduar rrugën tonë në politikat fiskale në funksion të krijimit të lehtësirave për biznesin dhe për të vazhduar komunikimin me tatimpaguesin në çdo nivel," u shpreh kryeministri.
Kryeministri tha se të ardhurat e 3 mujorit të parë të këtij viti në tatime dhe dogana, i kanë kaluar pritshmëritë, duke arkëtuar 100 milionë dollarë më shumë.
?Ne kemi arkëtuar afro 100 milionë dollarë më shumë, 96 milionë vetëm nga tatimet, më shumë se sa objektivi. Mbi 20 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Muaji mars u mbyll me realizim objektivash me rritje shumë të ndjeshme nga marsi i vitit të kaluar,? tha Rama teksa përgëzoi publikisht edhe dy drejtoritë e tatimeve dhe doganave të cilat janë kritikuar jo pak për mosrealizimin e të ardhurave.
Duke iu referuar fazës së parë të aksionit kundër informalitetit, Rama bëri një llogaritje të bizneseve të regjistruara.
"Sot, 40 mijë subjekte të reja të regjistruara, ose afro 50% mbi numrin e biznesve të regjistruara në korrik të 2015. 83 mijë punonjës, të regjistruar në vetëm 7 muaj. Sot jemi në kushte të reja ku kemi siguruar që çdo biznes, të jetë i regjistruar, me kasë fiskale dhe vetëdije se mosdeklarimi i punonjësve është krim. Ngritëm një sistem të dixhitalizuar ku e gjithë puna në terren është evidentuar me të dhëna bazë për çdo biznes dhe krijon kushte për monitorim të transaksioneve, " evidentoi kryeministri.
Këto arritje sipas Ramës, vijnë si rezultat edhe të ndërtimit të "trurit elektronik" në sistemin fiskal.