Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europiamn, Johannes Hahn, u shpreh sot gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit, se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE mund të zgjasë në kohë, edhe pas hapjes së negociatave.
Ai theksoi se gjithçka është në dorë të politikës nëse do të ketë vullnetin e duhur, nëse do të jenë të shpejtë e të angazhuar në përmbushjen e reformave. Por, ai theksoi se BE nuk do të përsërisë gabimin e bërë para disa vitesh, kur anëtarësoi disa vende të cilat nuk kishin shënuar progresin e duhur.
Sipas tij, Shqipëria kur të anëtarësohet do të jetë një anëtar i plotë dhe jo me kufizime, siç po trajtohen aktualisht disa vende të anëtarësuara në BE pak vite më parë.
"Mos nënvlerësoni faktin që të plotësoni kërkesat gjatë procesit. Për të filluar është mënyra më e mirë, për të ecur përpara e për të patur ndryshime domethënëse. Hapja e negociatave është një tjetër gjë, por theksi është tek procesi dhe kjo varet tek të gjithë ju, sesa të angazhuar e të shpejtë jeni. Nuk është thjesht një miratim që keni përcaktuar këtë apo atë, por ka të bëjë me të dhëna domethënëse dhe të qëndrueshme, që gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Ndoshta me siguri jeni në një masë të caktuar dhe ne si vende anëtare të BE, kemi mësuar leksionet tona nga negociatat e kaluara, kuptojmë aq sa duhet përsa i përket procedurave, metodologjisë, të negociojmë me një vend kandidat, sepse në fund të këtij procesi ju jeni anëtar i plotë dhe jo me kufizime, por një anëtar i plotë. Dhe për këto arsye mund të zgjasë më shumë, por në fund ju do të përfitoni më shumë sepse ju do të jeni anëtar i plotë i BE, që ditën e parë të anëtarësimit", u shpreh Hahn, ndërsa solli në vëmendje se disa vende të Unionit përballen ende me kontrolle e raportime nga Brukseli.
"Ne e kemi mësuar leksionin tonë dhe duam t'ju përgatisim edhe ju në një mënyrë që të gjithë të jemi të lumtur, të kënaqur, që të mos kemi mendime të ndryshme. Mund të jetë një ushtrim i gjatë, por në fund do të jetë në interesin tuaj dhe të qytetarëve shqiptarë", u shpreh Hahn.
Kjo është mbledhja e 5 e Këshillit Kombëtar të Integrimit i cili është ngritur vetëm një vit më parë me 44 anëtarë, të cilët janë përfaqësues jo vetëm nga parlamenti, por edhe nga shoqëria civile, institucione të pavarura, bota akademike dhe media.