Ndërsa është në negociata me Qeverinë shqiptare për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve, Tirana International Airport (TIA), ka nisur tratativat për shitjen e kontratës koncesionare.
Nisja e tratativave është konfirmuar për Report TV nga burime qeveritare, ndërkohë që vetë kompania nuk ka pranuar të japë asnjë të dhënë lidhur me shitjen. E kontaktuar lidhur me këtë çështje, kreu I zyrës së shtypit të Tirana International Airport tha se kompania ka vendosur të mos bëjë asnjë koment.
Ndërkohë që mësohet se tre kompanive që zotërojnë aksionet e Tirana International Airport kanë nisur prej kohësh tratativat për shitjen e kontratës monopolare. Burimet pranë autoriteteve shtetërorë shqiptare thanë se është një kompani kineze që ka paraqitur interes për blerjen e koncesionit.
Tratativat për shitjen e shoqërisë vijnë në një çast kur qeveria është pranë gjetjes së marrëveshjes me shoqërinë koncesionare për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare.
Pas dy vitesh negociata qeveria bëri me dije se e bindi kompaninë të heqë dorë nga ekskluziviteti i fluturimeve në këmbim të zgjatjes së kontratës koncesionare, e cila është dhjetë vjeçare.