MILOT - Një aksident i rëndë është shënuar në Fushë-Milot ku një makinë e drejtuar nga një paraplegjik është futur me shpejtësi mes përmes tregut të gjësë së gjallë dhe perimeve që hapet fundjavave duke lënë dy të vdekur dhe katër persona të tjerë të plagosur.
Viktima të këtij aksidenti mbetën tregtari Llesh Marku 70 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Dila Marku 68-vjeçare. Ajo ndërroi jetë në spitalin e Lezhës ku nuk mundi t'i mbijetojë plagëve të shumta që mori nga goditja e makinës. Të plagosurit e tjerë janë transportuar në spitalin e Laçit dhe të Tiranës.
Burime nga policia thanë për Shqiptarja.com se drejtuesi i makinës është Pashk Vokrri 62-vjeçar, i cili rezulton se është person me aftësi të kufizuara fizike. Ai është shoqëruar në polici, ndërsa mësohet se drejonte një makinë të modifikuar për invalidë, një Benz me targë AA 120 NI.
Sipas dëshmitarëve, Vokrri banues në Pllanë të Lezhës ka ardhur me shpejtësi duke marrë para turmën e njerëzve dhe ka ndaluar në një dyqan mishi.
Ende mbeten të paqarta rrethanat e aksidenti të rëndë që ndodhi rreth orës 10:30, ndërsa hetimet e mëtejshme të policisë pritet të hedhin dritë mbi këtë ngjarja.
Megjithatë paraprakisht dyshohet që autori të ketë humbur kontrollin e automjetit, dhe po punohet nga efektivët e policisë për të mësuar nëse bëhet fjalë për ndonjë defekt teknik të automjetit.
Por ka edhe dyshime që drejtuesi i mjetit mund të këtë ngatërruar levën e frenave me atë të gazit.