Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dënon përsëri shtetin shqiptarë, këtë radhë me një shumë në total prej gati 10 milionë e 700 mijë eurosh. Gjykata publikoi vendimin e emërtuar ?Rista kundër Shqipërisë? ku përfshihen 7 çështje, në të cilat ashtu si në çështjet e mëparshme, individë të ndryshëm janë ankuar për mosekzekutimin e vendimeve për kompensim të pronës.
Sipas vendimit, Gjykata Europiane ka vendosur që qeveria shqiptare të paguaj në favor të pronarëve një shpërblim që kap shumën prej 10 milion e 700 mijë euro. Ky shpërblim duhet të ekzekutohet nga qeveria shqiptare brenda një periudhe tremujore dhe me kalimin e këtij afati, për vonesën e ekzekutimit paguhen penalitete me kamatë për çdo ditë vonesë.
Ky vendim i Gjykatës Europiane vjen pak muaj pas vendimit të datës 10 nëntor me të cilin shteti shqiptar u penalizua në një shumë prej më shumë se 5 milionë euro.
Vlera e shpërblimit e dhënë me vendimin e 17 marsit është më e larta se vendimet e tjera të mëparshme dhe godet rëndë financat shqiptare, të cilat po përballen me problem të shumta për shkak të mosrealizimit të të ardhurave, rritjes së nivelit të borxhit, investimeve në nivele të ulëta, etj.
Gjithashtu ky vendim zbeh shpresat e autoriteteve shqiptare, të cilat kanë deklaruar dhe besuar se me miratimin e ligjit të ri të pronave, Gjykata e Strasburgut do të ndërpriste dhënien e vendimeve për kompensim të pronave kundër Shqipërisë dhe do të kthente mbrapsht çështjet e regjistruara.