Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka qenë në qendër të një takimi të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta me Nën-Sekretarin e Shtetit pranë Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane për Çështjet Evropiane, Sandro Gozi me të cilin biseduan për ecurinë e prioriteteve të procesit të integrimit evropian dhe për bashkëpunimin dypalësh.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Italisë duke vënë në dukje se Shqipëria mbështetet tek përkrahja italiane në gjirin e Bashkimit Evropian.
Në këtë kuadër, Meta u shpreh se fokusi i aktivitetit parlamentar mbetet në përmbylljen sa më shpejt e me sukses të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, që i hapin rrugë reformimit të sistemit të drejtësisë.
Në këtë kontekst u vlerësua opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias si dhe kontributi i misioneve EURALIUS dhe OPDAT përgjatë këtij procesi.
Nën-Sekretari i Shtetit pranë Qeverisë Italiane për Çështjet Evropiane z. Sandro Gozi vlerësoi progresin e bërë prej Shqipërisë në avancimin me reformat e nevojshme madhore, të cilat kontribuojnë në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Në këtë kuadër, Gozi theksoi se duke marrë në konsideratë miqësinë historike që ekziston mes dy popujve dhe nevojën për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, Italia mund të bëjë shumë për Shqipërinë dhe Shqipëria mund të bëjë gjithashtu shumë për Italinë.
Në përfundim, Meta dhe Gozi biseduan mbi zhvillimet në rajon duke u ndalur specifikisht tek situata e krizës së refugjatëve, ku u nda bindja e përbashkët se kjo krizë e paprecedentë kërkon një përqasje të unifikuar dhe solidare evropiane.